Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTUREEkspozita imersive në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë

Ekspozita imersive në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë

Këtë fundjavë Korça do të jetë sërish në qendër të vëmendjes. Më datë 23 dhjetor në qytetin e serenatave dhe turizmit gjithëvjetor, do të çelet një nga ekspozitat më të veçanta në vend. “Prekni nga afër engjëj e shenjtorë! Për herë të parë pasuria ikonografike e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar vjen e “gjallë” përmes teknologjisë në Muzeun e Arteve Digjitale në Korçë”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale. Galeria e Arteve Digjitale (GAD) do të ofrojë përmes kësaj ekspozite unike, një eksperiencë të pazakontë, në prag festash. Vetë GAD ftoi artdashësit përmes rrjeteve sociale, duke shkruar: “Përjetoni shkëlqimin e trashëgimisë tonë kulturore si kurrë më parë! Kjo nuk është thjesht një ekspozitë; është një udhëtim nëpër kohë.” Ekspozita e parë imersive e artit digjital “Ikonografia Shqiptare; Mjeshtrat e mëdhenj”, pas 23 dhjetorit do të jetë e hapur për publikun, nga e marta në të diel, në orarin 12:00-20:00. Siç shkruhet në faqen e Galerisë së Artit Digjital Korçë, duhet të përgatiteni të përjetoni një udhëtim pamor mahnitës që përshkon shekujt e ikonografisë shqiptare, nëpërmjet punëve të jashtëzakonshme të mjeshtrave të mëdhenj të artit mesjetar. Kjo ekspozitë është mundësuar falë mbështetjes dhe fondit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments