Eksportuesit e bimëve mjekësore, analiza të akredituara në ISUV

0
7

Eksportuesit e bimëve mjekësore, gjatë këtij viti do të mund të kryejnë analizat e akredituara për njohje në vendet e BE-së pranë laboratorëve shtetërore. Zv.ministri i Bujqësisë, Dhimo Kote tha për mediet se, eksportuesit e bimëve mjekësore, nuk do t’i kryejnë më analizat jashtë vendit në shtetet evropiane, pasi shumë shpejtë ISUV (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë), do të akreditohet edhe për këto analiza. “Pra të gjithë prodhuesit dhe përpunuesit e bimëve mjekësore do t’i çojnë mostrat pranë laboratorit shtetëror ISUV, kundrejt tarifave shtetërore për çdo shërbim që do të kërkohet”, tha Kote, teksa vuri në dukje se, ISUV, kryen analizat e akredituara për njohje ndërkombëtare, por që të marrësh analiza shtesë në përputhje me kërkesat e shtuara të BE-së, nevojitet akreditimi dhe trajnimi i trupës. “Nga diskutimet që kemi pasur edhe me drejtues të ISUV, pritet që fazat e nevojshme t’i kalojmë shumë shpejt. Mendoj se nga mesi i vitit që vjen kjo çështje do të zgjidhet”, tha ai. Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV) kryen rreth 1,368 analiza të akredituara sipas standardit ISO/IEC 17025:2017 për njohje ndërkombëtare. Nga këto janë kryer 450 analiza aktive për lëndën e mbetjes në produkte. Eksportet e bimëve mjekësore për 2022 arritën në vlerën e 6.2 miliardë lekëve rreth 14% më shumë se 2021. Destinacioni kryesor i eksporteve është Gjermania. Ndërsa 32% e produkteve të këtij grupi u eksportuan në SHBA dhe rreth 10% e tyre në Turqi dhe Francë. ATA