Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, që përbëjnë një zë të rëndësishëm të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, vijuan rikuperimin edhe gjatë 9-mujorit janar-shtator të këtij viti, duke zënë 27 % të vëllimit të eksporteve. Eksportet e këtij grupi rezultuan 9.3 miliardë lekë më të larta edhe krahasuar me nëntëmujorin e 2019-ës, që përkon me periudhën para pandemisë. Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, eksportet e këtij grupi arritën 99.5 miliardë lekë gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, kur në nëntëmujorin e 2021-shit ato llogariteshin rreth 81.9 miliardë lekë. Në nëntëmujorin e 2019-ës, ato ishin 90.2 miliardë lekë. Ekspertët shprehen se pasiguritë që vijnë për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, çmimit të karburantit, apo krizës energjetike globale mund të ngadalësojnë ritmin. Industria fason ka një peshë specifike në eksportet shqiptare dhe në punësim. Kjo industri kontribuon me 38 % në totalit të eksporteve dhe angazhon 45 % të forcës punëtore. Falë avantazheve të tilla si pozicioni gjeografik i vendit, kuadri ligjor me standardet e BE-së, kosto e ulët e transportit dhe infrastrukturës, fuqisë punëtore, e gatshme për të punuar në këtë sektor, por edhe investimeve të larta të kompanive në makineri dhe pajisje, vitet e fundit kemi zgjerim të eksporteve drejt tregjeve të reja dhe disa kompani po shkojnë drejt mbyllje së plotë të ciklit.https://ata.gov.al/2022/10/18/instat-eksportet-e-tekstileve-99-5-miliarde-leke/