Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, tha se projektligji për peshkimin është një hap i rëndësishëm në përmirësimin e menaxhimit të burimeve detare dhe në përafrimin e legjislacionit me BE-në.

Sipas saj, në fokus të ndryshimeve janë përmirësimi i standardeve dhe rritja e investimeve në infrastrukturën e peshkimit si dhe në lehtësimin e procedurave administrative në këtë sektor.

Denaj e cilësoi peshkimin një sektor potencial për rritjen e të ardhurave ekonomike.

“Në fund të vitit 2023 vlera e eksporteve të produkteve të peshkut shkoi në 144 milionë euro ndaj 137 milionë që ishte një vit më parë. Kemi një flotë me 811 mjete dhe mundësia e këtij ligji mbështet jo vetëm rinovimin e flotës për zgjerimin e aktivitetit të peshkimit por edhe zgjerimin e aktivitetit. Ministria ka punuar fort në drejtim të përmirësimit të inftastrukturës në sektorin e peshkimit. Qeveria ka miratuar një kredi prej 25 milionë euro, për zhvillimin e ekonomisë blu për vënien në funksion të 9 porteve artizanale të përpunimit të peshkut dhe 2 markatave në Shkodër dhe Sarandë që i bashkangjiten markatës  së Vlorës”, deklaroi ministrja.

Denaj tha se ligji aktual nuk lejon lundrimin e anijeve të peshimit në distanca të largëta dhe nuk mundëson shtimin e flotës lundruese në detin Mesdhe apo ujëra të tjera. “Pikërisht ndryshimet ligjore adresojnë këto mangësi dhe nxisin ekonominë blu”, theksoi ajo.

Ministrja vuri në dukje se, një aspekt tjetër thelbësor është identifikimi automatik i anijeve të peshmkimit, që do të implementohet në 2025.

“Instalimi i këtij sistemi në anijet e peshkimit do të ndihmojë edhe në luftën kundër informalitetit”, tha Denaj, teksa vuri në dukje se, projektligji synon të rrisë vëllimin e eksporteve dhe të diversifikojë aktivitetin e peshkimit. Ndërsa, sipas saj, metodologjia për sanksionet synon lehtësimin administrativ për  zhvillimin e sektorit.