Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIEksportet drejt SHBA, 3-fish më të larta

Eksportet drejt SHBA, 3-fish më të larta

Eksportet shqiptare drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës shënuan rritje me 3 herë gjatë njëmbëdhjetëmujorit janar-nëntor të vitit që shkoi, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Referuar statistikave të publikuara nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës llogariten gjatë kësaj periudhe 12.6 miliardë lekë, nga 4.4 miliardë lekë që ishin në 2021-shin. Ndërkohë, importet nga SHBA shënuan rënie. Sipas të dhënave, importet llogariten 12.3 miliardë lekë gjatë periudhës janar-nëntor të 2022, nga 13.7 miliardë lekë që ishin në 11-mujorin e 2021-shit. Shqipëria eksporton drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës një gamë të gjerë produktesh, kryesisht produkte ushqimore, bimë mjekësore dhe metale. Madje, Shqipëria konsiderohet një tregtues i rëndësishëm i bimëve mjekësore në tregun amerikan. Rritja e eksporteve është favorizuar edhe nga heqja e taksës doganore. Që prej vitit 2012, Shqipëria ka hyrë në listën e 128 vendeve që mund të përfitojnë nga një sistem preferencial që eliminon taksën doganore për një listë të gjatë produktesh. Në fillim të muajit tetor të vitit 2020 u nënshkrua në Tiranë memorandumi për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, i cili pritet të ndikojë ndjeshëm në hapjen e një kapitulli të ri për investimet e drejtpërdrejta jo vetëm amerikane, por në tërësi të huaja në Shqipëri. Memorandumi do të ketë ndikim pozitiv sa i përket edhe eksporteve shqiptare, duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar. Përmes këtij memorandumi po realizohet edhe një ëndërr 50-vjeçare, që është ndërtimi i HEC-it të Skavicës, gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur në burime hidroenergjetike, por i varur në vijimësi nga moti dhe nga importi, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë. ATA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments