Ekspozimi i vendit tonë si destinacion turistik dhe politikat mbështetëse për fermerët, kanë rritur vlerën e prodhimit bujqësor në tregjet e huaja. Eksportet bujqësore vijuan rritjen edhe gjatë muajit qershor të këtij viti. Ministrja e bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se ato shënuan rritje në 60 531 ton, kundrejt 49 397 ton që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Eksportet bujqësore vijojnë trendin rritës edhe gjatë muajit qershor, me një rritje prej 23% krahasuar me një vit më parë”, tha Denaj. Denaj u shpreh se, përmirësimi i cilësisë dhe standardeve të produkteve shqiptare ka rritur prezencën e tyre në mënyrë të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare. Klima e favorshme, afërsia me tregjet evropiane, mundësia për mbulimin e tregjeve rajonale me potenciale të pashfrytëzuara, si dhe fuqia punëtore me kosto të ulët, e bëjnë Shqipërinë një vend me potencial premtues në disa sektorë, por veçanërisht në bujqësi. Produktet kryesore bujqësore që eksporton Shqipëria janë bimë mjekësore, perime të freskëta dhe të përpunuara, vaji i ullirit, vajrat esenciale, shalqinj, fruta, peshk të konservuar etj.