Kosova ka shënuar deficit tregtar 2.9 për qind në muajin maj 2024, në krahasim me të njëjtën periudhë 2023, në vlerë 430.6 milionë euro, krahasuar me deficitin 443.4 milionë në vitin 2023, teksa eksporti mbulon importin me 16.6 për qind.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se eksporti i mallrave në maj 2024 kap vlerën 85.7 milionë euro, ndërsa importi 516.3 milionë që është një rritje 14.6% për eksport, si dhe një rënie 0.3% për import në krahasim me periudhën e njëjtë 2023.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 28.3 milionë euro, ose rreth 33.3% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 29.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin Gjermania (11%), Italia (4.6%), Holanda (2.3%), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 234.6 milionë euro, ose 45.4% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 9%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga Gjermania (14%), Italia (5.8%), Greqia (6%), etj.
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 39.7 milionë euro ose 46,4% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 19.8%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin Shqipëria (18.1%), Maqedonia e Veriut (16.1%), Mali i Zi (5.5%), Serbia (5.1%).
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 67.3 milionë euro ose 13% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 30.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Shqipëria (5.9%), Maqedonia e Veriut (4.2%), Serbia (1.5%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën 17.7 milionë euro ose 20.6%. Partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin Zvicra (9.3%) dhe SHBA (3.3%).
Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën 214.4 milionë euro ose 41,5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import janë Turqia (14.1%) dhe Kina (10%).