Ka shumë të ngjarë që sulmi izraelit mbi Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza të jetë kryer me bombën e telekomanduar MK-84, deklaroi eksperti i teknologjisë së mbrojtjes Arif Emre Orun.
Orun, i cili zakonisht merret me inxhinierinë e sistemeve të mbrojtjes ajrore, tha se sulmet izraelite në Gaza kishin për qëllim shkatërrimin total dhe jo një operacion të drejtpërdrejtë dhe se për këtë arsye u zgjodhën bombat e serisë MK-84.
“Ka shumë indikacione se janë përdorur bomba fosfori. Përveç kësaj, vlerësohet se janë përdorur edhe bomba të gjeneratës së vjetër”, tha ai.
Ai theksoi se në Gaza nuk ka sisteme të mbrojtjes kundërajrore që i përkasin Hamasit.
Orun shtoi se Izraeli fokusohet kryesisht në municionet e serisë MK për shkak të taktikave të saj shkatërruese të luftës.
“Nga pala izraelite ka tentime për dezinformata se sulmin e ka kryer Hamasi, por kur bëhet një analizë teknike e fuqisë së shpërthimit, është e qartë se kjo nuk mund të kryhet me teknologjinë që posedon Hamasi. Duke pasur parasysh se raketat e zhvilluara nga Hamasi lëshohen nga toka, shumica e tyre përbëhet nga motorë raketash me lëndë djegëse të ngurtë”, tha eksperti turk.
Ai theksoi se fakti që masakra është kryer gjatë errësirës dhe se videoja e shpërthimit është regjistruar vetëm pas rënies së bombës, pamundëson arritjen e të dhënave të sakta për llojin e municionit.
“Duke pasur parasysh taktikat e përgjithshme të luftës dhe të dhënat teknike, mund të themi se në sulm është përdorur bomba MK-84”, tha ai.