Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Irani ka vendosur ekspertë ushtarakë në Krimenë e pushtuar nga Rusia për të ndihmuar në nisjen e sulmeve me dronë në Ukrainë. Sipas një zëdhënës të SHBA, iranianët janë trajnerë dhe punonjës të mbështetjes teknologjike. “Ne vlerësojmë se personeli ushtarak iranian ishte në terren në Krime dhe ndihmoi Rusinë në këto operacione. Një numër relativisht i vogël iranianësh po ofrojnë mbështetje teknike dhe rusët po pilotojnë dronët në Ukrainë. Teherani tani është i angazhuar drejtpërdrejt në terren, dhe përmes ofrimit të armëve që po prekin civilët dhe infrastrukturën civile në Ukrainë. Shtetet e Bashkuara do të ndjekin të gjitha mjetet për të ekspozuar dhe penguar ofrimin e këtyre municioneve nga Irani kundër popullit ukrainas”, tha zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby. Kryeqyteti ukrainas, Kiev, u godit nga të ashtuquajturit dron “kamikaze” të hënën nga Rusia, por që besohet se janë të prodhuara nga Irani. Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar sanksione ndaj bizneseve dhe individëve iranianë përgjegjës për furnizimin e dronëve.https://lajme.rtsh.al/artikull/lufta-ne-ukraine-shba-ekspertet-iraniane-te-droneve-ndihmuan-rusine-per-nisjen-e-sulmeve