Lumi Vjosa, i njohur si “lumi i fundit i egër në Evropë”, po kthehet në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për adhuruesit e natyrës dhe sporteve ekstreme.
Të apasionuar pas sporteve ekstreme, turistë të shumtë rendin në rrjedhën e Vjosës për të përjetuar eksperiencën unike të rafting.
Me rrjedhje të lirë dhe natyrë të paprekur, Vjosa përshkon një territor të mbrojtur me kanione, shpella dhe një biodiversitet të pasur, duke ofruar një përvojë të rrallë për ata që zgjedhin ta eksplorojnë përmes raftingut.
Turistët e aventurës përshkojnë me gomone lumin nga Përmeti deri në Këlcyrë me një gjatësi gati 20 km.
Rrjedha është e qetë në disa vende dhe e tërthortë e me dallgë në vende të tjera me thellësi më të madhe.
Turizmi i aventurës gërshetohet shumë mirë në Përmet me traditën, kulinarinë e mikëpritjen.
Ndaj rafting në Vjosë nuk është vetëm një sport, por konsiderohet edhe një përvojë gjithëpërfshirëse që ndërthur emocionin me bukuritë natyrore, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin ekonomik të komuniteteve lokale dhe në rritjen e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë si një destinacion turistik alternativ.