Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në një përmbledhje të punëve të kryera javën që po mbyllet, theksoi se kryefjala ishte finalizimi i një pune të gjatë dokumentuese për të identifikuar, regjistruar, mbrojtur në treg dhe ofruar tek konsumatori 4 produktet e para nën logon e produkteve të çertifikuara si Specialitet Tradicional i Garantuar. Djathi Mishavina i Bjeshkëve të Kelmendit, Malësi e Madhe, Mjalti i Bedunicës, Përmet, Djathi i Ziem i Veleçikut, Malësi e Madhe dhe Djathi i Dhisë nga Bjeshkët e Rrunjës, Dibër, për treguesit gjeografikë, emërtimin e origjinës dhe specialitetin tradicional të garantuar. “Kemi shtruar kështu rrugën për të gjithë prodhuesit shqiptarë që t’i vlerësohet edhe më shumë mundi dhe puna për të prodhuar ekselenca autoktone e të traditës nga të gjitha krahinat, përmes certifikimit”, u shpreh ajo. “I gjithë procesi i certifikimit të produkteve është një angazhim i jashtëzakonshëm në të gjithë zinxhirin që nga fermeri, shërbimi këshillimor, pushteti lokal, organizatat/shoqatat e ndryshme në zonë, ekspertë të fushës, dhe institucionet qendrore. Për ne është shumë i rëndësishëm edhe promovimi i produkteve cilësore, bashkëpunimi me agroturizimin, turizimin rural, një tjetër sfidë për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, që drejt Evropës të shkojmë si shqiptarë, me identitetin tonë të fortë edhe në prodhime dhe në ushqim, me vlerat tona të spikatura të territoreve dhe traditës, për të cilat po punojmë fort t’i japim vlerë e t’i shndrrojmë në instrumenta për të fuqizuar zhvillimin e qëndrueshën të zonave tona rurale”, u shpreh Krifca. Po ashtu, Krifca solli në vëmendje se për herë të parë vera shqiptare mori nga revista prestigjioze botërore “Decanter”, ku përmes një pasqyre kuptimplotë të vreshtarisë dhe verëtarisë në Shqipëri, të bërë nga gazetari i mirënjohur Darrel Joseph, kemi promovimin e duhur një sektori gjithmonë e më shumë në zhvillim. Vëmendja e “Decanter” është sukses ndërkombëtar për këtë industri me potencial të jashtëzakonshëm për ekonominë rurale në vendin tonë. “Ky promovim i vlerave të produkteve tona i shërben edhe punës paralele që po kryejmë për rritjen e prezencës së produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Pas miratimit të ligjit të ri të vreshtarisë dhe verës, po punojmë për përfundimin e kadastrës së vreshtave, ndërkohë që fuqizojmë përditë e më shumë bashkëpunimin dhe mbështetjen me vreshtarët dhe prodhuesit e verës”, tha Krifca. Ajo u ndal dhe tek projektligji për Bletarinë. “Me të njejtën frymë po punojmë projektligjin Për Bletarinë, ku këtë javë morëm miratimin unanim nga Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Ky projektligj është përmbushja e një premtimi dhe rezultat i një pune të gjatë me komunitetin e bletërritësve si një hap zhvillimi të mëtejshëm të bletarisë dhe bujqësisë. Vendosim kështu themelet fuqizuese të këtij sektori jetik për ekosistemin tonë bujqësor, duke vendosur rregulla për mbarështimin e bletëve, masa për parandalimin apo luftimin e sëmundjeve, mbikqyrjen e objekteve të prodhimit dhe ruajtjes së bletëve, etiketimin, përpunimin ambalazhimin, si dhe lëvizjen dhe transportin e zgjojeve për të shfrytëzuar në mënyrë të qëndrushme kullotën, të gjitha këto për të legjitimuar rolin e veçantë të bletës dhe bletarisë në mjedis, bujqësi, ekonomi dhe krijimin e të ardhurave për ekonomitë rurale duke nxitur zhvillimin e mëtejshëm të bletarisë. Fokus të veçantë gjatë kësaj jave kishte edhe blegtoria. Zhvilluam një tryezë diskutimi së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë me përfaqësues të fermave blegtorale nga i gjithë vendi mbi ndikimin e politikave fiskale në blegtori dhe mbështetjen e këtij sektori për këtë vit. Në synojmë që politika jonë mbështetëse t’i shërbejë nevojave të sektorit dhe të ndërtohet bashkë me ta. Por takimet me blegtorët i bëmë edhe në terren, për të parë nga afër punën e përditshme që ata kryejnë së bashku për të garantuar produkte cilësore, të kontrolluara dhe të sigurta për konsumatorin”, theksoi ajo. Gjatë kësaj jave, Krifca risolli edhe vizitën në kompaninë AGS një sipërmarrje model e përpunimit të qumështit, me mbështetjen edhe të programit IPARD, me infrastrukturë bashkëkohore, kujdes të veçantë për kryerjen e të gjitha analizave në të gjitha hallkat e përpunimit të qumështit sipas teknologjise tetra pak, për të garantuar siguri ushqimore dhe një produkt i cili sot tregtohet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon dhe më gjerë. ATSH