Ekpozitë kushtuar ushtarakut britanik Aubrey Herbert, mikut të Shqipërisë

0
3

Mes dokumenteve të ekspozuara, gjendeshin:

– Vendimi i Këshillit të Ministrave drejtuar Prefekturës së Durrësit, mbi ndihmën që kishte dhënë familja Herbert për strehimin e emigrantëve kosovarë, si dhe emërimin “Herbert” të katundit të ri që po formohej, në nder të familjes dhe kolonelit;

– Njoftimi i Nënprefekturës së Kavajës dërguar Prefekturës së Durrësit, mbi falenderimin që i duhej bërë konteshës Kanarvon për ngritjen e një shkolle në katundin Herbert;

– Telegrami i ngushëllimit dërguar familjes Herbert nga Bashkia e Lushnjës me rastin e ndarjes nga jeta të Lady Carnavon;

– Protesta botuar në gazetën angleze “Times” nënshkruar nga disa personalitete angleze, ndërmjet tyre Aubrey Herbert, Edith Durham etj., kundër copëtimit të Shqipërisë ndërmjet shteteve fqinje;

– Mbledhja e Komitetit Shqiptar në Londër me pjesëmarrjen e Fan Nolit, delegatëve nga Shqipëria Mehmet bej Konica e Filip Noga dhe personalitete angleze me në krye Aubrey Herbert ku diskutohet çështje e ekzistencës së kombit shqiptar dhe moscopëzimi i tij;

– Pjesë nga fjalimi i deputetit anglez Aubrey Herbert në Dhomën e Komunave, ku kritikon vendimin e kryeministrit anglez për ndarjen e Shqipërisë; daktiloshkrim frëngjisht.

Po ashtu, në ekspozitën e përgatitur nga DPA-ja nxirrej në pah kontributi dhe qasja dashamirëse e familjes Herbert ndaj Shqipërisë, përmes akteve të shumta bamirëse gjatë viteve ‘20. Në aktivitet ishte i pranishëm drejtori i përgjithshëm në detyrë i Arkivave, Endrit Musaj, përfaqësues diplomatikë dhe dashamirës të historisë.