Përfitimet e Shqipërisë nga pjesëmarrja në SEPA për qytetarët dhe ekonominë janë të shumëfishta.
Ulja e kostove është përfitimi i parë, më i prekshëm dhe i matshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare. Me kryerjen e transfertave nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në Euro me vendet anëtare të skemës vlerësohet se do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët. Sipas vlerësimeve tona paraprake, kursimi për ekonominë shqiptare mund të jetë të paktën 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Njëkohësisht ulet koha e kryerjes së pagesave, dhe rritet konkurrenca nëpërmjet prezantimit të produkteve dhe shërbimeve moderne dhe të sigurta.
Në nivel kombëtar, ky anëtarësim nxit përfshirjen financiare, redukton përdorimin e parasë fizike, zgjeron produktet dhe shërbimet e pagesave dhe nxit zhvillimin e teknologjisë financiare.
Në nivel ndërkufitar, ky anëtarësim nxit ndërveprimin tregtar dhe lëvizjen e flukseve monetare me Bashkimin Evropian. BE-ja është partneri tregtar kryesor i Shqipërisë, ku rreth 60% e tregtisë kryhet me vendet e BE-së dhe krijimi i lehtësirave financiare është domethënës për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare. Gjithashtu, pjesëmarrja në SEPA i ofron bizneseve shqiptare qasjen në tregun evropian prej 450 milionë banorësh, duke i ofruar mundësi për zgjerimin e aktivitetit të tyre, rritjen e konkurrencës dhe përfitimin e risive.