Erald Themeli, drejtor i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë tha se, “ekonomia shqiptare vijon në trend pozitiv zhvillimi të shfaqur në drejtim të rritjes ekonomike solide, inflacionit të ulët nën kontroll, nivel të ulët të borxhit publik, si dhe treguesit në përmirësim të tregut të punës”.

Sipas tij, perspektiva e ekonomisë në trend pozitiv zhvillimi do të vijojë edhe për 3 vitet në vijim.

“Ritmi i rritjes ekonomike për vitin 2024 qëndroi në nivelin 4%, i ushqyer në një masë të madhe nga zgjerimi i konsumit familjar dhe investimeve të përgjithshme në ekonomi, qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat. Zgjerimi i kërkesës së brendshme pasqyron si bilance të shëndosha financiare të ekonomisë shqiptare, ashtu edhe kushte të favorshme të financimit, që do të thotë niveli i normave të interesit dhe kushtet e përgjithshme të kreditimit, kanë favorizuar një rritje të shpejtë të kredisë, të cilat kanë mbështetur zgjerimin e konsumit dhe investimeve”, u shpreh Themeli.

Ai tha se, gjatë vitit 2024, ka pasur nivel inflacioni 2,2%, lehtësisht nën objektivin e Bankës Qendrore, që në një pjesë të madhe lidhet me efektin frenues që ka sjellë forcimi i shpejtë i kursit të këmbimit gjatë vitit 2024.

“Për vitin 2025 e në vazhdim, pavarësisht problematikave që ka parashikimi i kursit të këmbimit, ne presim një ecuri më të balancuar të këtij treguesi në raport me zhvillimet që janë vënë re dy vitet e fundit, që do të thotë që edhe efekti frenues në inflacion që kemi pasur në 2023 dhe 2024, nuk do të jetë më aq i fortë në të ardhmen”, u shpreh Themeli.

Sipas tij, rritja e eksporteve, ecuria pozitive e turizmit do të mbështesin rritjen e ekonomisë krahas evidentimit tashmë të zgjerimit të aktivitetit, kryesisht të sektorit të shërbimit dhe ndërtimeve.