Administrata e qytetit të Parisit dëshiron të arrijë kursime të energjisë duke fikur më herët gjatë natës dritat ndriçuese në Kullën Eiffel, në mënyrë që të jetë shembull për kursimin e energjisë në përgjigje të krizës aktuale energjetike. Kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, për sot ka planifikuar të prezantojë planin e “maturisë energjetike” për të reduktuar shpenzimin e energjisë, ku një nga masat për uljen e shpenzimit të energjisë është fikja e dritave në Kullën Eiffel, raporton BFMTV. Administrata e qytetit të Parisit ka propozuar që dritat të fiken plotësisht në orën 23:45, kur të largohen edhe vizitorët e fundit. Reflektorët në majë të kullës 330 metra e bëjnë atë një fener në qiellin e natës së Parisit, kurse 20 mijë poçet vezulluese i jepnin kullës një pamje verbuese për pesë minuta çdo orë. Siç u tha, ndriçimi i natës në vit shpenzon 6,7 gigavatë energji elektrike në orë. “Kursimet e arritura të energjisë nuk do të jenë të mëdha, por si pikë referimi më e vizituar në botë, ne jemi të detyruar të shërbejmë si shembull i mirë për të gjithë të tjerët. Gjesti ynë simbolik është në fakt jashtëzakonisht i fuqishëm sepse sytë e gjithë botës janë drejt nesh”, tha Jean-Francois Martins, president i Societe d’Exploitation de la Tour Eiffel (SETE) që menaxhon Kullën. Qeveria franceze ka kërkuar nga individët, familjet dhe bizneset që të përdorin më pak energji pasi vendi po përballet me mungesë të energjisë elektrike, gazit dhe karburantit të shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Disa qytete për të zgjidhur problemin po fikin dritat në ndërtesat publike dhe rrugët kur nuk janë në përdorim.https://ata.gov.al/2022/09/13/eiffel-solidarizohet-me-krizen-energjetike-duke-fikur-dritat/