Egnatia është finalistja e dytë për titullin kampion në Abissnet Superiore, ku e pret Vllaznia.

Rrogozhinasit kanë përsëritur historinë mbrëmjen e sotme duke kaluar me një barazim pa gola Partizanin dhe ashtu si një vit më parë, kanë përfituar nga rregullorja për të shkuar në ndeshjen finale për titullin kampion ndaj Vllaznisë më datë 12 maj.

Falë renditjes më të mirë në kampionat dhe rregullores së gjysmëfinaleve të “Final 4”, skuadrës rrogozhinase i mjaftonte edhe barazimi në ndeshjen e sotme ndaj Partizanit, ndaj ajo luajti më me qetësi duke kontrolluar lojën, pa rrezikuar shumë përballë Partizanit, i cili gjithashtu krijoi shumë pak raste për të shënuar.

Ndërsa Vllaznia ishte ekipi i parë që siguroi finalen e madhe të sezonit për titullin kampion në “Abissnet Superiore”.

Kuqeblutë mundën të dielën Dinamo City-n në “Arenën Kombëtare” me rezultatin 2-1. Dygolëshi i Bekim Balajt në pjesën e parë ishte vendimtar për kuqeblutë, ndërsa për Dinamon rrugën e rrjetës e gjeti Itodo Mandela.