I vendosur pranë Kajros, në pllajën e Gizës ku ndodhen edhe tre piramidat dhe Sfinksi, muzeu do të jetë më i madhi në botë i kushtuar një qytetërimi të vetëm. Ai do të ekspozojë mbi 50 mijë artefakte që tregojnë jetën e Egjiptit të lashtë.

Muzeu është një nga megaprojektet më ambicioze të presidentit Abdel-Fattah el-Sissi, i cili që prej ardhjes në pushtet në vitin 2014 ka nisur investime masive në infrastrukturë për të rigjallëruar ekonominë e dobësuar nga dekada stanjacioni dhe trazirat pas Pranverës Arabe të vitit 2011.

Përgatitjet për hapjen kanë qenë të mbuluara nga sekreti. Muzeu, i cili ka qenë i hapur vetëm për vizita të kufizuara vitet e fundit, ka qëndruar i mbyllur për dy javët e fundit në pritje të inaugurimit zyrtar.

Qeveria ka rinovuar zonat përreth muzeut dhe Piramidave të Gizës, ka shtruar rrugët dhe po ndërton një stacion metroje jashtë portave të muzeut për të lehtësuar qasjen. Një aeroport i ri, “Sphinx International Airport”, është hapur në perëndim të Kajros, rreth 40 minuta larg muzeut.

Ndërtimi i këtij kompleksi prej 1 miliard dollarësh ka hasur në vonesa të shumta, pasi punimet nisën në vitin 2005, por u ndërprenë për shkak të paqëndrueshmërisë politike.

Muzeu, i njohur me shkurtimin “GEM”, ka një fasadë gjigante trekëndëshe prej xhami që imiton formën e piramidave dhe përfshin 24 mijë metra katrorë hapësirë ekspozuese.