Agjencia me qendër në Kopenhagë paralajmëroi se Evropa përballet me rreziqe serioze për stabilitetin ekonomik, sigurinë dhe standardet e jetesës nëse përkeqësimi mjedisor vazhdon.

Megjithatë, raporti thekson edhe prirje positive; emetimet e gazeve serrë në BE janë ulur me 37% që nga viti 1990, kryesisht falë reduktimit të përdorimit të qymyrit, naftës dhe gazit, ndërsa pjesa e energjisë së rinovueshme në prodhimin e energjisë elektrike është dyfishuar që nga viti 2005.

Pavarësisht përparimit, Evropa ende përballet me humbjen e biodiversitetit në tokë dhe ujë, shfrytëzimin e tepërt të burimeve ujore dhe modele jo të qëndrueshme prodhimi e konsumi.

Sektori i transportit mbetet shumë i varur nga karburantet fosile dhe kontinenti po ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja globale, thuhet në raport.

Raporti, i bazuar në të dhëna nga 38 vende, është vlerësimi më i gjerë mbi gjendjen e mjedisit, klimës dhe qëndrueshmërisë në rajon.

EEA u bëri thirrje qeverive të përshpejtojnë zbatimin e masave të “Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane” për të ndalur përkeqësimin e mjedisit dhe për të mbrojtur mirëqenien afatgjatë.

Organizata për mbrojtjen e mjedisit “WWF Gjermani” e përshkroi raportin e EEA-së si “një tjetër thirrje zgjimi” drejtuar Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare për të zbatuar me urgjencë masa për mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës.

“Stabiliteti i ekonomisë sonë  dhe rrjedhimisht i shoqërisë varet në masë të madhe nga pyjet, detet, tokat dhe lumenjtë e shëndetshëm”, theksoi eksperti i biodiversitetit i WWF-së, Matthias Meissner.