E premte me reshje dhe përmbytje, por si pritet fundjava? Surprizat që ka rezervuar moti

0
10

Ultësira Perëndimore është përfshirë nga vransirat dhe reshjet e shiut, të cilat duke filluar nga mesdita do të jenë në intensitet më të lartë dhe sjellin përmbytje të përkohshme. Duke filluar nga orët e pasdites, reshjet spostohen drejt zonave Lindore, duke bërë që në Ultësirën Perëndimore të përmirësohet situata e motit. Hakil Osmani: Zonat më problematike janë zonat Veri-Perëndimore, qarku i Shkodrës dhe i Lezhës. Por duke filluar nga mesdita, parashikohet që e gjithë Ultësira Perëndimore të jetë nën ndikimin e reshjeve, herë pas here me intensitet të lartë duke përfshirë këtu qytete si Durrësi, Tirana, Elbasani, po ashtu Kruja. Edhe më në jug pritet që gjatë orëve të mesditës dhe të pasdites të kemi intensifikim të reshjeve duke bërë që të jenë me intensitete të larta Gjirokastra, Vlora apo edhe Saranda. Në Ultësirën Perëndimore pritet që herë pas here të kemi vërshime të ujit, përmbytje të përkohshme pasi pritet që reshjet të jenë me intensitet të lartë. Për fat të mirë, duke filluar orët e pasdites, reshjet spostohen shumë shpejt drejt zonave Lindore duke bërë që në Ultësirën Perëndimore, pritet të kemi përmirësim të kushteve të motit gjatë pasdites dhe mbrëmjes duke bërë që reshjet që të jenë në sasira më të pakëta. Në fundjavë, territori shqiptar pritet të ketë një përmirësim të kushteve të motit. Reshjet do të jenë prezente, por në sasira më të pakëta dhe të fokusuara në pjesën Lindore të vendit. Hakil Osmani: Përsa i përket fundjavës, territori shqiptar pritet që të ketë një përmirësim të kushteve të motit. Reshjet do të mbeten prezente, por në sasira shumë të pakëta dhe të fokusuara në gjysmën Lindore të territorit shqiptar, Ultësira Perëndimore pritet të ketë edhe intervale me kthjellime.