E hëna nis me kthjellime dhe vranësira, mesjava sjell reshje. Si do të jetë moti ditët në vijim

0
56

Meteorologia Lajda Porja thekson se ditët e para të javës do të jenë nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme të motit ndërsa duke nisur nga e enjtja deri të shtunën, do të ketë shtim të vranësirave dhe rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të territorit. Temperaturat e ajrit arrijnë deri në 27 gradë. “Pjesa e parë e javës do të jetë nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, me kthjellime, megjithëse vranësirat do t’i kemi prezente gjatë gjithë ditës. Nga e enjtja deri të shtunën, do të ketë shtim të vranësirave, duke sjellë rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të territorit, ku më të dukshme do të jenë në zonat veriperëndimore dhe në zonat qendrore. Parashikohet që temperaturat e ajrit, të paktën deri të mërkurën, të jenë minimalet rreth vlerës 7 gradë dhe maksimalet deri në 27 gradë. Duke filluar nga e enjtja, do të kemi rënie të lehtë dhe graduale, megjithatë mbetemi në vlerën 25 gradë.”, theksoi Porja. Edhe rajoni, në ditët e para të javës, do të jetë me mot të qëndrueshëm ndërsa nga e mërkura priten reshje. “Sa i përket vendeve të rajonit, konkretisht Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të jenë nën ndikimin e motit të qëndrueshëm të paktën në dy ditët e para të javës ndërkohë që e mërkura do të sjellë reshje në Malin e Zi, të enjten dhe të premten do të përfshihet dhe Kosova si dhe Maqedonia e Veriut. Sa i përket vlerave termike, parashikohet që minimalet të jenë rreth vlerës 6-7 gradë në Kosovë dhe maksimalet deri në 22. Maqedonia e Veriut do të ketë vlera minimale 8 gradë dhe maksimalet 28 gradë ndërkohë temperatura të ulëta do të ketë zona malore e Malit të Zi deri në 18-19 gradë dhe pjesa e bregdetit jo më shumë se 24 gradë celcius. Në pjesën e dytë të javës prezente do të jenë edhe stuhitë e forta të erës pothuajse në të gjithë Ballkanin.“, u shpreh ajo.