Qeveria shqiptare ka vendosur që e hëna e 13 shkurtit do të jetë Ditë Zie Kombëtare, në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë. Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale. “Ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”, u shpreh Rama. Gjithsej 18 991 njerëz kanë vdekur vetëm në Turqi, si rezultat i tërmeteve që goditën gjithashtu Sirinë fqinje këtë javë. Numri i vdekjeve të regjistruara në Siri aktualisht është 3 384, duke e çuar totalin në të dy vendet në 22 375. Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë të shkallës Rihter, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmaras, u ndjenë nga 13 milionë njerëz në 10 provinca, përfshirë provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakir, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa. Në terren aktualisht po punojnë më shumë se 121 128 pjesëtarë të ekipeve të kërkim-shpëtimit. Rreth 75 780 njerëz janë evakuar nga rajonet e goditura nga tërmeti në Turqi. atsh