Sipas Euronews, një ekip i pavarur ekspertësh ka analizuar sërish dokumentet, fotografitë e skenës së ngjarjes dhe raportet toksikologjike, duke arritur në përfundimin se Cobain mund të ketë qenë i konfrontuar nga një ose më shumë persona, ti jetë injektuar një dozë e lartë heroine “për ta bërë të paaftë”, dhe më pas të jetë qëlluar me armë zjarri. Raporti pretendon gjithashtu se arma e gjetur në duart e tij “mund të jetë vendosur” pas vdekjes.

Kurt Cobain u gjet i vdekur më 5 prill 1994 në banesën e tij në Seattle dhe autoritetet vendosën se ai kishte kryer vetëvrasje me armë zjarri. Vitet e fundit të jetës së tij ai ishte përballur me varësi nga droga dhe probleme të shëndetit mendor.

Megjithatë, dyshimet rreth vdekjes së tij nuk janë shuar asnjëherë. Që nga fundi i viteve ’90, teori të ndryshme konspirative kanë pretenduar për një letër të dyshimtë, për çrregullime në skenën e ngjarjes, si dhe për tensionet në martesën e tij me këngëtaren Courtney Love. Dokumentari i vitit 1998 Kurt & Courtney i regjisorit Nick Broomfield i artikuloi këto dyshime dhe ngriti pikëpyetje mbi versionin zyrtar.

Pavarësisht raportit të ri, autoritetet amerikane nuk kanë njoftuar për rihapje të hetimit, dhe konkluzioni zyrtar i vitit 1994 – vetëvrasje – mbetet i pandryshuar.