“Kapacitetet për terapinë intensive janë dyfishuar, në përgjigje të emergjencave shëndetësore”. Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë Konferencës XVI Kombëtare të Anestezi-Reanimacionit që po mbahet në Tiranë. Duke vlerësuar punën e të gjitha ekipeve mjekësore që përballuan pandeminë dhe sidomos të mjekëve anestezistë-reanimatorë, Manastirliu u shpreh se, “pandemia vuri në provë sisteme shumë të forta shëndetësore dhe padyshim vuri në sprovë edhe sistemin tonë shëndetësor, i cili prej pak vitesh ka filluar të mëkëmbet dhe të ringrihet. Sot ne jemi në salla të reja kirurgjikale në Spitalin “Frederik Shiroka” në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, por nga Shkodra e deri në Sarandë kemi salla të reja kirurgjikale dhe reanimacione, të cilat janë të investuara”. “Ne kemi dyfishuar edhe në sajë të të gjithë përkushtimit të punës edhe mbështetjes financiare kapacitetet përsa i përket terapisë intensive. Kemi dyfishuar kapacitetet në trajtimin e rasteve për anestezi-reanimacionin; kemi dyfishuar kapacitetet në shtretër, të cilët tashmë janë të mirëpajisur me aspiratorë, me linjat e furnizimit të gazrave. Vetëm Spitalin Infektiv, që e kemi inaguruar para pak ditësh është një spital i cili tashmë e ka reanimacionin të trefishuar në kapacitete”, tha Manastirliu. Duke folur për Planin e ri Kombëtar Spitalor, Manastirliu u shpreh se, “Plani Kombëtar Spitalor është ai dokument i cili do të miratohet edhe do të jetë udhërrëfyesi për të shkuar drejt një sistemi spitalor i cili ofron garanci për shëndetin e qytetarëve në lidhje me shërbimet spitalore dhe mbi të gjitha do të garantojë edhe një vizion të ri, duke pasur një qasje gjithëpërfshirëse dhe duke mundësuar që burimeve tona njerëzore t’i ofrojmë më të mirën”. “Përsa i përket burimeve njerëzore, ne do të vijojmë mbështeten e mjekëve dhe profesionistëve të shëndetësisë, duke vijuar me rritjen e pagave, nëpërmjet autonomisë spitalore dhe dhënies gjithashtu edhe të mbështetjes për performancën në punë. Do të kemi shpërblime financiare për mjekët, të cilët kanë performancë në punë nëpërmjet metodologjive, që ky ligj i ri që ne kemi miratuar, Ligji i Kujdesit Spitalor tashmë do të jetësohet dhe nëpërmjet akteve nënligjore dhe sigurisht që do të vijojmë të mbështesim edhe profesionistët tanë nëpërmjet edukimit në vazhdim”, tha Manastirliu. Në Tiranë po zhvillon punimet Konferenca Kombëtare e Anestezi-Reanimacionit me pjesëmarrje të gjerë të mjekëve të këtij specialiteti dhe përfaqësues nga Rajoni dhe Europa, për të ndarë praktikat më të mira në fushën e anestezi-reanimacionit dhe për të përditësuar dijet për edukimin në vazhdim të stafeve mjekësore.https://ata.gov.al/2022/12/02/manastirliu-dyfishim-kapacitetesh-ne-terapite-intensive-shperblime-sipas-performances/