Në spitalin Pediatrik të Specialiteteve, pacientët e vegjël nuk shkëputen nga mësimet dhe shkolla falë dy klasave të posaçme të ngritura në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Për herë të parë, pjesë e infrastrukturës spitalore janë edhe mjediset e dedikuara për shkollën e asistuar për ata fëmijë që kalojnë një kohë më të gjatë në spital.

Këto dy klasa mësimore janë të pajisura me teknologjinë më të fundit digjitale dhe mjete të nevojshme didaktike, falë modelit që ka sjellë Fondacioni izraelit SASA Setton.

Përmes një stafi të dedikuar mësuesish, në dy klasat, njëra multidisiplinare dhe tjetra një klasë-studio arti, do t’u ofrohet fëmijëve të shtruar në spital edukim mësimor si dhe kurrikula të tjera mbështetëse për mirëqenien e tyre emocionale sipas grupmoshës

Projekti është një shembull domethënës i bashkëpunimit ndërmjet sistemit shëndetësor dhe atij arsimor, në funksion të së drejtës themelore të çdo fëmije për arsim të barabartë, gjithëpërfshirës dhe të pandërprerë, pavarësisht rrethanave.