Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi inspektoi sot situatën nga reshjet intensive të shiut në Harkun e Bërdicës, Shkodër. Peleshi tha se “reshjet intensive të shiut kanë sjellë fryrjen e lumenjve të basenit të Vaut të Dejës, gjatë natës ka pasur problematika edhe me furnizimin me energji elektrike. Drejtori i OSSHE më informoi se po vendosen në kontroll të gjitha zonat dhe pasdite kur të ulet intensiteti i reshjeve do të kemi furnizim të plotë me energji elektrike”. “Duhet të na mirëkuptojnë qytetarët sepse në disa zona ndërprerja bëhet për arsye sigurie, për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm”, shtoi Peleshi. Ministri Peleshi u shpreh se “këtu është pika më nevralgjike e zonës së Shkodrës tek Harku i Bërdicës, ku ka përmbytje të rrugës. Policia po punon për të devijuar kalimin e automjeteve. Forcat e Armatosura janë në krye të punës për të ndihmuar qytetarët dhe të shmangin trafikun gjë që do të lehtësonte punën”. “Janë evakuuar dy familje, ndërsa janë 4 banesa që po mbahen në kontroll pasi janë më pranë përmbytjes. Rreziku është që ky ujë që rrjedh drejt Dajçit mund të shkaktojë përmbytje në ato zona, ndaj jemi në terren me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca për të kontrolluar punën në hidrovore. Duhet theksuar që bashkitë kanë bërë një punë të mirë për pastrimin e hidrovoreve”, tha Peleshi.https://ata.gov.al/2022/11/20/peleshi-ne-shkoder-dy-familje-te-evakuara-ne-berdice-devijim-kalimit-te-mjeteve-ne-aksin-e-permbytur/