Dushi i përditshëm mund të jetë zakoni më i mirë nga i cili mund të hiqni dorë, sipas “The Guardian”.

Dushet e përditshme mund të duken si një pjesë e panegociueshme e higjienës moderne, por dermatologët paralajmërojnë se ato mund të shkaktojnë dëme serioze në lëkurën tuaj.

Dushi i shpeshtë – veçanërisht me ujë të nxehtë dhe sapunë antibakterialë – mund të heqë vajrat natyralë të lëkurës dhe bakteret e dobishme, duke çuar në tharje dhe acarim të lëkurës.

Ky dëmtim jo vetëm që e bën lëkurën më të prirur ndaj infeksioneve dhe reaksioneve alergjike, por gjithashtu prish ekuilibrin e mikroorganizmave që mbështesin shëndetin imunitar.

Pastrimi i tepërt, mund të reduktojë ekspozimin e sistemit imunitar ndaj mikrobeve të dobishme, duke dobësuar aftësinë e tij afatgjatë për t’iu përgjigjur “kërcënimeve”.

Për më tepër, uji në të cilin lahemi shpesh përmban kimikate si klor, metale të rënda dhe pesticide që mund ta irritojnë më tej lëkurën.

Dermatologët sugjerojnë që dushi i përditshëm është i panevojshëm për shumicën e njerëzve dhe mund të zëvendësohet me një rutinë ndryshe – siç është një dush i shpejtë një herë në disa ditë – i fokusuar në zona thelbësore si sqetullat dhe ijët.

Përveç ruajtjes së shëndetit të lëkurës, reduktimi i frekuencës së dushit mund të ndihmojë në kursimin e ujit dhe minimizimin e ekspozimit ndaj substancave – potencialisht të dëmshme në produktet e kujdesit personal.

Ndërsa ndërprerja e zakonit të përditshëm të dushit mund të ndihet e pakëndshme në fillim, ky ndryshim mund të jetë i dobishëm si për trupin tuaj ashtu edhe për mjedisin.