Mbi 15 mijë nxënës në këtë qytet përfitojnë tekstet falas, prej të cilëve 570 i përkasin pikërisht shkollës “14 Nëntori”. Ministrja Manastirliu, theksoi rëndësinë e përgatitjeve për të siguruar që në ditën e parë të shkollës të gjithë nxënësit të jenë të pajisur me paketat e librave dhe fletoreve të punës.

“Ne jemi duke bërë tashmë inspektimet e fundit të para fillimit të vitit të ri shkollor, po shoh nga afër se si puna e bashkive, por edhe investimet që kemi bërë në Arsim po ndryshojnë tërësisht standardet e edukimit, sepse investimi në infrastrukturë patjetër që ndikon në rritjen e cilësisë në Arsim duke qenë së të gjithë këto objekte arsimore janë ndërtuar jo vetëm me standarde të mira, por edhe me kapacitete të shtuara. Synimi ynë është që çdo institucion arsimor të jetë gati të mirëpresë nxënësit në kushte optimale infrastrukturore, por edhe të garantojë cilësinë e mësimdhënies.”, tha Ministrja, Manastirliu, duke vënë theksin tek angazhimi për përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Shkolla “14 Nëntori” është një nga institucionet arsimore që e nis vitin e ri shkollor me kushte të përmirësuara, pas një rikonstruksioni të plotë të ndërmarrë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Ministrja vlerësoi investimin, duke nënvizuar se kjo shkollë, që tashmë ka 33 klasa mësimore, laboratorë modernë dhe një palestër të re, do të ofrojë një ambient arsimor të një standardi më të lartë për 570 nxënës dhe 44 mësuesit e saj.

Ministrja Manastirliu tha se 25 shkolla të reja ose të rehabilituara, do të hapen më 9 shtator.

“25 shkolla të reja hapen pikërisht në datën 9 shtator, duke garantuar që më shumë se 10 mijë nxënës, mësues të hyjnë në kushte dhe standarde bashkëkohore nëpërmjet investimeve që MAS, bashkive apo programit të rindërtimit dhe projektit të Bashkimit Europian. Janë 100 objekte shkollore që janë rehabilituar ose janë në proces për këtë vit, dhe ne jemi të përkushtuar që të rrisim cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies në shkollat tona.”, vuri theksin Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Infrastruktura moderne dhe kushtet e përmirësuara mësimore janë në fokus të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ku përfshihet edhe rëndësia që kanë ngritja e laboratorëve të shkencave si pjesë thelbësore e procesit mësimor.

“Objektivi ynë kryesor dhe çelësi për të rritur aftësitë e nxënësve janë pikërisht ato dije të cilat duhet të përkthehen në praktik dhe për ne laboratorët e shkencave janë shumë të rëndësishëm dhe fokusi tek shkencat, tek gjuha shqipe, merr një rëndësi prioritare sot dhe do të ketë gjithashtu edhe në vijim dhe ndaj qoftë për sa i përket laboratorëve të kimisë, fizikës, biologjisë, për të cilët ne parashikojmë që gjatë vitit shkollor të shtojmë një numër rreth 80 laboratorësh të shkencave”, tha Manastirliu.