Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka priti në takim Lise Klaveness, Presidente e Federatës Norvegjeze të Futbollit, dhe Karl-Petter Løken, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Norvegjeze, përpara ndeshjes vendimtare Shqipëri-Norvegji dje – një sfidë e rëndësishme në përpjekjet e ekipit tonë kombëtar për një vend në fazën play-off të UEFA Euro 2025.
Në takim u shkëmbyen ide mbi avancimin e futbollit në Shqipëri, veçanërisht në futbollin e vajzave, ku mbështetja dhe fryma bashkëpunuese e Presidentes së Federatës Norvegjeze kanë qenë të paçmueshme.
Me kalimin e viteve, Federata Shqiptare dhe ajo e Norvegjisë kanë zhvilluar projekte të përbashkëta dhe kanë përafruar strategjitë për të zhvilluar futbollin, duke hapur rrugën për një bashkëpunim edhe më të ngushtë në të ardhmen, theksoi Duka.
Ata gjithashtu ishin edhe në qytetin e Shkodrës, ku takuan kryebashkiakun, Benet Beci.
“Gjatë qëndrimit tonë në Shkodër, ne patëm diskutime produktive edhe me kryetarin e bashkisë së qytetit, drejtuesit e klubeve lokale dhe vlerësuam arritjet e Klubit të Futbollit të Femrave Vllaznia. Edhe pse skuadra jonë u mund, ishte e qartë se futbolli shqiptar për vajza po bën hapa të shpejtë përpara”, u shpreh Duka në një postim në rrjetet sociale.
“Teksa shohim përpara, ne jemi të lumtur për të vazhduar bashkëpunimin tonë me Federatën Norvegjeze, jo vetëm në futbollin e vajzave, por edhe në zhvillimin e proceseve stërvitore, akademitë dhe projekte të tjera të përbashkëta”, theksoi Duka.