Specialistët e DRTK Shkodër për mirëmbajtjen kanë nisur punën për zëvendësimin e elementeve të dërrasave në urën prej druri në Kalanë e Lezhës. Puna konsiston në identifikimin e elementëve strukturor të urës prej druri që janë të dëmtuara ose të vjetra dhe kanë nevojë për zëvendësim. Ky proces i rëndësishëm ka të bëjë me përmirësimin e infrastrukturës së aksesit në sitet e vizitueshme dhe vendosjen e sinjalistikës së nevojshme, duke nisur nga Parku Arkeologjik Lezhë për të qenë gati për sezonin e ardhshëm turistik për vitin 2024. Kalaja e Lezhës ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre. Këtu mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane. Objektet më interesante për t’u vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane brenda kalasë, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor. Kalaja e Lezhës është monument kulture. Prej saj shihet një pamje mjaft e bukur e fushës së Lezhës dhe e detit Adriatik.