Kush e viziton Pogradecin, nuk mund të largohet pa kaluar disa momente pranë freskisë që ofron parku natyror i Drilonit apo pa shëtitur në rrugicat me shtëpitë karakteristike dhe oborret e mbushura me lule në Tushemisht.

Të dyja këto pika turistike edhe në këto ditë të nxehta vere gjallërojnë nga turistët vendas e të huaj, që kanë zgjedhur Pogradecin për të kaluar pushimet ose fundjavat.

Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, ndodhet vetëm 6 km larg Pogradecit dhe është një ndër atraksionet më të bukura në vendin tonë.

Pas investimeve të realizuara në Drilon, ku janë ndërtuar rreth 4 000 m rrugica për këmbësorët është zgjeruar sipërfaqja e parkut duke nxjerrë më në pah potencialin turistik të kësaj zone.

Sapo hyn në Drilon është ngritur Qendra e Vizitorëve, ku po vijon puna me mobilimin e brendshëm për ta vënë në funksion të turistëve të shumtë.