Pylli i fazanëve në Maliq, i ndodhur vetëm 10 km larg qytetit të Korçës është ndër atraksionet më interesante në juglindje të vendit, strehë e fazanëve, sorkadheve, lepujve të egër, dhelprave, sikundër edhe i  plepave, shelgut, blirit, pishës dhe bredhit.

Me një peizazh fantastik, ky pyll gëzon statusin e monumentit natyror, ndërsa fazanët janë simboli nga të cilët merr edhe emrin.

Ajri i pastër, peizazhet mahnitëse, e bardha e dimrit, e gjelbra e pranverës dhe nuancat vjeshtore të gjetheve sipas stinëve, flora dhe fauna e larmishme tërheqin vizitorë tashmë jo vetëm nga zonat përreth por edhe nga më larg.

Pylli është vend ideal për piknikë familjare, aktivitete edukative dhe relaksim në natyrë.

Gjatë verës, pylli ofron freski dhe mbledh vizitorë vendas dhe të huajë që dëshirojnë të largohen nga zhurma e qytetit.