Në parkun e Drilonit, Pogradec, po vijon puna me intensitet për rikualifikimin e parkut ujor, për ta kthyer atë në një pol të rëndësishëm ekoturistik të kësaj zone. Nënkryetari i bashkisë Pogradec, Paskalino Ziko, u shpreh për mediet se punimet janë drejt përfundimit në zonën A, çka do t’i japë mundësi të gjithë vizitorëve të shijojnë bukurinë e natyrës në Drilon edhe këtë verë.
“Punimet po vazhdojnë me ritme shumë të kënaqshme. Jemi në fazën përmbyllëse në Zonën A të Drilonit, që është pjesa ekzistuese e Drilonit. Ka përfunduar gjithë pjesa e rehabilitimit të lumit, të brigjeve, të rrugicave, ndriçimi, aksesorët e tjerë urbanë, stolat, disa ura, janë mbjellë pemë të reja dhe objektivi është që rehabilitimi i plotë i zonës A të përfundojë deri në maj”, tha Ziko. Sipas tij, punimet po vijojnë paralelisht edhe në dy zonat e tjera që në tërësi do ta kthejnë parkun në një sipërfaqe më të madhe të aksesueshme për vizitorët.
“Investimet po vijojnë ndërkohë edhe në Zonën B, që shkon deri në Guras. Këtu është ndërtuar shëtitorja e re, është vendosur ndriçimi dhe po vijojnë punimet e tjera. Projekti transformues, parashikon të përfundojë deri në fund të vitit, dhe synon të ngrejë në një tjetër standard infrastrukturën në tërësi, duke e bërë më tërheqëse dhe më të aksesueshme hapësirën publike për vizitorët dhe turistët”, u shpreh Ziko. Parku i Drilonit, një nga mrekullitë natyrore të vendit tonë, ndodhet 5 km në lindje të Pogradecit, fare pranë fshatit turistik të Tushemishtit.
Ndërkohë që vetë zona Drilon-Tushemisht është në një hapësirë të vogël gjeografike ku ndërthuren me shumë hijeshi disa nga perlat e natyrës shqiptare si: burimet e Drilonit, liqeni i Ohrit, shtëpitë karakteristike të zonës, rrugë të ngushta kalimi dhe peizazhe piktoreske, të cilat krijojnë një oaz të mrekullueshëm me mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit në zonë.