Moti i ftohtë me temperatura 3-4°C nën zero ka mbërthyer prej gati 10 ditësh të gjithë rajonin e Ballkanit, por të shtunën pasdite, një tjetër valë akoma më e acartë, zbret nga Siberia drejt gadishullit të Ballkanit. Kjo masë ajrore e ftohtë dhe e thatë do të mbërthejë edhe Shqipërinë duke sjellë një rënie të menjëhershme me 5-6°C në temperaturat e ajrit si edhe ngrica në mbi 80% të territorit shqiptar. Rënia e temperaturave do të ndjehet fillimisht në veri dhe verilindje ku termometri në zonat Tropojë, Malësi e Madhe, Has, Pukë, Peshkopi dhe Bulqizë do të zbresë në vlerat nga -4 në -10°C, ndërkohë që edhe mesdita në këto zona do të qëndrojë disa gradë nën zero. Acari dhe ngricat do të shtrihen edhe në zonat jugore gjatë së dielës kur temperaturat minimale do të luhaten nga -5 në -8°C duke lënë në vlera negative gjatë gjithë së dielës, disa zona në juglindje të vendit. Ndërsa, ultësira perëndimore e Shqipërisë, përfshirë edhe kryeqytetin do të shënojnë vlera të ulëta nga mbrëmja e së shtunës dhe në vijim të dielën. Temperaturat minimale/maksimale në këto zona do të luhatet nga -4 në jo më lart se 8°C. Kjo valë e acartë, por e thatë do të sjellë vranësira dhe reshje afatshkurtra gjatë së shtunës; reshje të pakta shiu në zonat e ulëta dhe bregdetare ndërsa dëbora zbret në 200 m lartësi nga niveli i detit. Reshje më të pakta dhe të izoluara sjell dita e diel; orët e para të saj rrezikojnë nga reshje të pakta dëbore të gjithë territorin, kryesisht skajet veri-jug. Moti i ftohtë me ngrica dhe temperatura shumë të ulëta do të vijojë në të gjithë Shqipërinë edhe përtej fundjavës.
Dr. Tanja Porja-Fundjavë me diell, por temperaturat ulen ndjeshëm
RELATED ARTICLES