Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në 8-mujorin e këtij viti, kanë shënuar rritje domethënëse në të gjithë llojet e treguesve.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se rritja me 32.3 miliardë lekë në 8-mujorin 2023, është rezultat i realizimit rekord të të gjithë komponentëve të të ardhurave, si një nga treguesit e punës efektive të Administratës Tatimore.
Sipas të dhënave të publikuara nga DPT-ja, të ardhurat nga tatimi i vlerës së shtuar bruto
u rrit në 43.2 mld lekë kundrejt planifikimit për këtë 8-mujor në shifrën e 39 mld lekëve.
“Të ardhurat nga Tatimi i Vlerës së Shtuar bruto, u rritën me 6.7 miliardë lekë ose 18.4 % më shumë se në vitin 2022”, thekson DPT.
Gjithashtu të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin, u rritën në 36.1 mld lekë kundrejt parashikimit 31.5 mld lekë. Ky tregues shënoi rritje me 6 miliardë lekë ose 20 % më shumë se në 2022.
DPT njofton se, Tatimi mbi të Ardhurat u rrit në vlerën e 39.4 mld lekëve ndaj 33.5 mld lekëve të planifikuar. Ky tregues shënoi 33 miliardë lekë më shumë, ose 9.1 % më shumë se në vitin 2022.
Rritje shënuan edhe të ardhurat për kontribute. Ky tregues u rrit në 91.1 mld lekë ndaj 82 mld lekë të planifikuara. Të ardhurat për këtë tregues u rritën me 13,7 miliardë lekë ose 17.6 % më shumë se në vitin 2022.