DPSHTRR arkëtime rekord mbi 2.5 miliardë lekë

0
1

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka shënuar rezultate rekord në volumin e arkëtimeve gjatë periudhës janar-shtator 2023, falë miradministrimit, informatizimit e mirorganizimit të punës, sipas të gjitha standardeve të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Drejtori i përgjithshëm i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja u shpreh në rrjetet sociale se fokusi i punës është përmirësimi më tej i shërbimeve, eliminimi i fenomeneve abuzive e korruptive, dhe të qenit gjithmonë transparent në komunikim me qytetarët.

Gonxhja publikoi në rrjete sociale statistikat e fundit mbi bilancin e të ardhurave ku rezulton se, Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor, ka arkëtuar mbi 2.5 miliardë lekë, ose 93 % më shumë të ardhura gjatë janar-shtator 2023, krahasuar me janar-shtator 2018.

26.4 % e totalit të të ardhurave janë gjeneruar nga shërbimet risi që po zbaton ky institucion. Konkretisht, DPSHTRR ofron 284.907 shërbime risi, prej të cilave gjatë këtij 9- mujori 2023 ka gjeneruar 671.264, 583 lekë të ardhura.

Ndërkohë të ardhurat nga shërbimet me targat, janë rritur me 143.980.916 lekë, ose 94 % krahasuar me janar-shtator 2022 dhe 47 % e të ardhurave nga shërbimet me targat, janë gjeneruar vetëm nga shërbimi i ri i targave të personalizuara.

Gonxhja u shpreh se, këto janë rezultate me të cilat krenohen e që nuk do të ishin të mundura pa përkushtimin profesional të ekipit të mirëmotivuar, dhe pa mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë dhe qeverisë shqiptare.

“Performanca pozitive mundëson rishpërndarje të fondeve në investime, projekte, programe e përballim politikash sociale të Shërbimeve të Transportit Rrugor”, tha Gonxhja.