Saturday, November 23, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTUREDPA prezanton botimet e saj studimore

DPA prezanton botimet e saj studimore

Në kuadër të aktiviteteve për Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka prezantuar gjashtë botimet e saj studimore të vitit 2022.

Në edicionin e 15-të të panairit të organizuar nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, organi më i lartë i rrjetit arkivor të vendit, DPA, u përfaqësua në një panel akademikësh nga kreu i saj, prof. asoc. dr. Ardit Bido.

Në ligjëratën e tij, Bido, nënvizoi se, kemi të bëjmë me një rikthim të DPA-së në funksionin e botueses pas një periudhe të gjatë mungese.

Gjatë fjalës së tij, Bido iu referua 6 botimeve më të fundit të DPA-së, që trajtojnë përvjetorë të rëndësishëm të një game të gjerë, të personaliteteve apo të ngjarjeve historike. Bëhet fjalë për titujt e poshtëlistuar:

“Misionet aleate në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore 1943-1944”, “Kongresi i Beratit dhe Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare”, “Justin Godarti përmes dokumenteve arkivore”, “Marrëdhëniet e ish-Partisë së Punës së Shqipërisë me partitë komuniste dhe lëvizjet marksiste-leniniste jashtë ‘Bllokut komunist’” dhe “100-vjetori i themelimit të Muzeut Kombëtar, 1922-2022”.

Përkatësisht, këto punime janë realizuar nga bashkëautorët dr. Endrit Musaj dhe dr. Lorenc Agalliu, prof. asoc. dr. Bido dhe Myrteza Sharra, Gjergj Totozani, Armando Boçe dhe Arbër Bilbili, Elsa Saka dhe dr. Dorian Koçi.

Po ashtu, kreu i DPA-së u ndal tek numri i 58-të i revistës “Arkivat Shqiptare”, e vetmja në llojin e saj në mbarë trojet shqiptare, që përmbledh punimet periodike të studiuesve dhe të arkivistëve në mbarë trojet shqiptare. Prezantimi u përmbyll me ftesën adresuar studentëve për të marrë pjesë në Konferencat Mbarëkombëtare të Arkivistikës, realizuar në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), pasi mundësojnë një hapësirë për trajtimin e arkivistikës si shkencë më vete, të palidhur me historinë apo shkenca të tjera të përafërta.

Ndërkaq, në stendën e DPA-së, studentët dhe akademikët patën mundësinë të gjenin botime mbi periudha, ngjarje dhe tematika me rëndësi historike madhore.

Disa prej titujve shkencorë të përzgjedhur, qenë: “Kodikët e Shqipërisë”, “Udhërrëfyes i pronave dhe pronarëve, Vlorë”, “Udhërrëfyesi i pronave dhe pronarëve, Elbasan”, “Hasan Prishtina”, “Dokumente për Çamërinë”, “Rezistenca e popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore”, “Ismail Qemali”, “Shqiptaria midis Lindjes dhe Perëndimit” etj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments