Në bazë të ligjit, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin, mbi rregullat e hollësishme që ndiqet nga çdo person, për deklarimin në kufi dhe masat administrative për moszbatimin e ligjit. Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, çdo person, i cili hyn në/ose largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të bëjë deklarimin, në bazë të ligjit, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar. Deklarimi paraqitet nga: personi që shoqëron ose përfaqësuesi që transporton me rrugë tokësore, ajrore, detare ose shërbime postare sendet, si më poshtë vijon: Para fizike; Çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit; Metale ose gurë të çmuar; Sende me vlerë; ose objekte antike, me një vlerë të kombinuar prej të paktën 10 000 (dhjetë mijë) eurosh ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera. Deklarata plotësohet me shkrim ose në mënyrë elektronike nëpërmjet modulit të sistemit informatik doganor dhe i dorëzohet autoriteteve doganore në pikat e kalimit kufitar. Detyrimi për deklarim konsiderohet i kryer vetëm nëse informacioni i dhënë është i plotë, i qartë dhe i saktë, si dhe pasi të jenë vendosur në dispozicion për inspektim ose kontroll sendet e përmendura të këtij vendimi. Kryetarët e degëve doganore përcaktojnë ambientet që do të jenë në dispozicion për të garantuar sigurinë e parasë fizike dhe sendeve me vlerë që janë objekt i sanksionit për mosdeklarim. Autoritetet doganore pas plotësimit të formularit të deklarimit vullnetar ose jovullnetar, si dhe të dokumenteve shoqëruese të tij, bëjnë depozitimin e tyre, përfshirë këtu të dhëna të tjera shtesë, sipas rastit, dhe raportojnë në rrugë elektronike pranë DPPPP-së, çdo 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune, pas regjistrimit të veprimit. Depozitimi/raportimi bëhet elektronikisht deri në momentin që do të kalohet në aksesin on-line. Autoritetet doganore për çdo dyshim, sinjalizim, njoftim ose të dhëna që kanë të bëjnë me pastrimin e parave dhe/ose financimin e terrorizmit, pas regjistrimit të veprimit, i dërgojnë DPPPP-së, në rrugë shkresore, brenda 72 (shtatëdhjetë e dy) orësh, raportin e aktivitetit të dyshimtë, si dhe të gjithë dokumentacionin për transaksionin e kryer dhe të dhëna për personin që kryen transaksionin. DPPPP-ja, për të dhënat e dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD), si raporte të aktivitetit të dyshimtë, të përmendura në pikën 8, të këtij kreu, si dhe për rastet e tjera të riskut të evidentuara nga vetë DPPPP-ja, informon për çdo rast DPD-në për rezultatet e arritura, me qëllim zbatimin nga kjo e fundit të masave të kontrollit për të zbutur, menaxhuar ose testuar këto risqe dhe vazhdimin e procedurave të mëtejshme administrative dhe penale. Në rastet kur konstatohet mosdeklarim në kufi, sipas vlerës së parashikuar nga ligji, autoriteti doganor ose/dhe në bashkëpunim me strukturën e shërbimit të policisë gjyqësore përkatëse në Policinë e Shtetit marrin masa, që krahas trajtimit të rastit, sipas dispozitave të Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, paralelisht të vendosin gjobën administrative. Vendimi parashtron se, nëpunësi doganor konstatues duhet të njoftojë menjëherë për ngjarjen përgjegjësin e turnit/zyrës doganore kompetente dhe në vijim kryetarin e degës doganore kompetente, ku ky i fundit njofton shefin e Departamentit Operativ Hetimor (DOH), i cili ia dërgon kryerjen e veprimeve të mëtejshme strukturës përkatëse të hetimit doganor. Në vijim, Drejtoria e Hetimit Doganor, nëpërmjet një punonjësi që ka atributet e oficerit të policisë gjyqësore, kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale, ku, nëse është e nevojshme bashkërendon punën me strukturën përkatëse të Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit dhe në përfundim çështjen ia referon prokurorit të prokurorisë kompetente, sipas parashikimeve në Kodin e Procedurës Penale. Në ndihmë dhe mbështetje të autoritetit doganor, organet e Policisë së Shtetit me iniciativë, në rast se vihen në dijeni të një rasti mosdeklarimi të parasë fizike dhe sendeve me vlerë, siç kërkohet nga ligji, njoftojnë menjëherë degën doganore kompetente, duke ia referuar asaj çështjen dhe duke i vënë në dispozicion të gjitha të dhënat dhe dokumentacionin lidhur me shkeljen. Të gjitha të dhënat në lidhje me mosdeklarimin e parasë fizike, instrumenteve të negociueshme të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike regjistrohen në “Sistemin e automatizuar të të dhënave- Asycuda World”. Ky veprim duhet të kryhet brenda 24 (njëzet e katër) orëve, kohë gjatë cilës merr vendim kryetari i degës doganore kompetente, duke konfirmuar gjobën dhe vendimin. Për procedurat e paparashikuara në këtë vendim zbatohen ato të parashikuara në ligjin për kundërvajtjet administrative dhe në legjislacionin në fuqi. Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”. atsh
Doganat rregulla për deklarimin në kufi
RELATED ARTICLES