Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Fier përcolli për publikun pamjet e rralla të çeljes së vezëve në një fole breshkash në bregdetin e Divjakës. Sipas specialistëve të AdZM së Fierit, 3 ditët e fundit ata asistuan në një nga fenomenet më spektakolare të jetës së egër, pas monitorimeve pa fund dhe netëve të gjata pa gjumë. Specialistet e AdZM Fier kanë asistuar në çeljen e vezëve të një foleje breshke e llojit Caretta Caretta. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro teksa ka publikuar pamje në rrjetet sociale nga ky proces ka shprehur mirënjohje për punonjësit e zonave të mbrojtura Fier, por edhe për ekspertët e aktivistët mjedisorë. “Shumë mirënjohje jo vetëm për punonjësit e zonave të mbrojtura Fier, por edhe për ekspertët e aktivistët mjedisorë që me përkushtim iu bashkuan monitorimit të gjatë ditë e natë, falë të cilit kemi edhe këto pamje”, shkruan Kumbaro. Çelja zakonisht zgjat për disa ditë. Për folenë që u mbajt nën mbikëqyrje janë dashur 3 ditë dhe deri tani kanë dalë 61 breshka të vogla. Gjatë ditë-netëve të mbikëqyrjes specialistët e AdZM Fier kanë pasur edhe mbështetjen e shumë dashamirësve të natyrës. Pranë folesë u mblodhën turistë të huaj, banorë vendas dhe aktivistë mjedisorë, të cilët sipas një grafiku bënë monitorimin e folesë 24 orë. “Edhe një herë tjetër konfirmohet rëndësia e bregdetit të Divjakës, për folezimin e kësaj specieje”, thuhet në njoftimin e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Fier.http://ata.gov.al/2022/08/13/divjake-specialistet-monitorojne-celjen-e-vezeve-te-breshkes-caretta/
Divjakë, specialistët monitorojnë çeljen e vezëve të breshkës Caretta
RELATED ARTICLES