Nën moderimin e prof. Diana Kastratit u çel sesioni i parë i veprimtarisë “Ditët e Librit Arbëresh”. Drejtuesja e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Diana Kastrati, bëri një prezantim të të ftuarit special në këtë aktivitet, antropologut Mario Bolognari.
Prof. Bolognari mbajti një lectio magistralis, me temë: “Jeta, vdekja, ringjallja. Simbolika dhe ritualiteti i kostumit femëror arbëreshe”. Në kumtesën e tij ai foli për dinamikat e migrimit në Itali dhe se si kjo ka ndikuar në komunitetin e arbëreshëve, që për një moment u duk se u zhduk.
Ai foli për vështirësitë e komuniteteve arbëreshe edhe në karrierën e tij akademike duke filluar prej vitit 1972, kur iu propozua të shkonte në jug të vendit dhe aty kuptoi se gjuha tradicionale arbëreshe po shkonte drejt heshtjes dhe kështu lindi libri “Heshtja e Traditës” (1978).
Prof. Bolognari bëri një hyrje të zhvillimeve politike dhe ecurisë së legjislacionit dhe pikëpyetjeve që ka prodhuar Ligji 482/1999. Ai foli në kumtesën e tij për funksionet e veshjes në faza të ndryshme të jetës prej lindjes deri në vdekje, përgjatë gjithë ciklit jetësor të njeriut.
Konkretisht, ai u ndal në funksionet e veshjes arbëreshe, në faza të ndryshme të ciklit jetësor dhe konceptimit ad hoc të veshjes për këto faza të jetës, por edhe përtej saj duke u bërë shoqëruese të gruas arbëreshe edhe në jetën e përtejme. Ligjërata u përmbyll me një hapësirë për pyetje drejtuar prof. Bolognari-t që sollën diskutime e debat mbi temën e prezantuar.