Dita Evropiane e Bashkëpunimit bëri bashkë në 21-22 shtator disa nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të qytetit të Përmetit. Në aktivitetet e zhvilluara morën pjesë përfaqësues të delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri Sophia Philippidou, Agjencia Shtetërore e Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës me drejtues Ilir Beqjan dhe stafin e tij, përfaqësues të Programit Interreg Greqi-Shqipëri, kryetarja e bashkisë Përmet, Alma Hoxha, qytetarë, etj. Dita e parë startoi me traditën mikpritëse, duke vijuar me vizitën në Bibliotekën e qytetit, e cila është rikonstruktuar falë bashkëpunimit Greqi -Shqipëri nëpërmjet Programit IPA dhe fonde të BE-së. Në vazhdim të vizitës në qendrën tjetër të rikonstruktuar me fonde të huaja, të rinjtë e Këshillit Rinor përcollën mesazhet e paqes dhe bashkëpunimit me simbolet dhe ngjyrat e kësaj dite. Ndërsa ditën e djeshme u zhvillua panairi i produkteve të zonës, bashkëbisedimeve dhe si përfundim argëtimit me rafting në lumin Vjosë. Bashkia e Përmetit falënderon pjesëmarrësit për vizitën, mbështetjen dhe asistencën e treguar deri tani duke ndihmuar kështu në realizimin e shumë prioriteteve me impakte të rëndësishme në komunitet. Në qytetin e Përmetit këtë sezon turistik janë shtuar aktivitetet kulturore, të cilat kanë mbledhur një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.http://ata.gov.al/2022/09/23/dita-evropiane-e-bashkepunimit-aktivitete-dhe-panaire-ne-permet/