Sot festohet Dita e Verës, një nga festat më të vjetra pagane shqiptare, me rrënjë që shtrihen thellë në lashtësi.

E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj, jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë.

Në këtë ditë të shënuar, Elbasani kthehet në qendër të festimeve me aktivitete të larmishme, nga ekskursionet në natyrë, deri tek dreka e begatshme familjare, ku nuk mungojnë ballokumet.

Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.

Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit. Kushdo që do të kalojë këto ditë pranë Elbasanit do të ndjejë aromën ndjellëse të ballokumeve.

Ballokumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë. Kjo i bën ato edhe më të veçanta. Janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë dhe sheqer të imët.

Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.

– Shpati në Ditën e Verës –

Në zonën tradicionale malore të Shpatit, rreth 22 kilometra larg Elbasanit, festa niste me një ekskursion shpateve të malit të Bukanikut, ku të rinjtë që një ditë më parë përgatisnin shilarset e sheshe për lodra të ndryshme, ku merrnin pjesë me kënaqësi jo vetëm mosha e re, por edhe burra e gra të moshuar.

Kjo ditë e 14 marsit, që ndryshe quhej “dita e luleve”, gjithnjë shoqërohej me bisqe të gjelbëruar drurësh apo lule të hershme. Dreka e bollshme me mish gjahu shtrohej kolektivisht, pas së cilës, u mbetej fëmijëve për ta mbyllur festën me trokitje nëpër dyer të fshatit, ku gostiteshin me vezë, pala fiku, fruta të ruajtura për këtë ditë. Vitet kaluan dhe kjo festë pak nga pak i humbi disa nga veçoritë e saj. Së fundmi ajo ka mbetur si festë e fëmijëve, por që ruan akoma me fanatizëm drekën e bollshme dhe lulet.