Festivali i Filmit Polak “Visua” ul sot siparin. Sipas programit për sot janë parashikuar të shfaqen një bllok filmash të metrazhit të shkurtër nga studentët e Shkollës së Filmit “Krzysztof Kieslowski” të Universitetit të Silesisë në Katovicë. Prodhimet studentore janë të viteve 2020-2021, 107 min, të rekomanduara për një publik mbi 16 vjeç. Ndërsa në ora 19, në Kinema Millennium do të shfaqet filmi “Amatorët” me regji të Iwona Siekierzyńska, një komedi e vitit 2020, prej 95 minutash. Edicioni i dytë i Festivalit të Filmit Polak, u organizua nga Agjencia e Industrisë Kreative dhe Tirana Film Office. Si partner kryesor në organizimin e festivalit, AIK dhe TFO sollën në Tiranë industrinë polake të filmit, që gjatë viteve të fundit ka njohur një lulëzim me ritme të shpejta për sa i përket produksioneve dhe kinematografisë në tërësi. atsh