Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në mbarë botën ekzistojnë më shumë se 55 milionë pacientë me Alzheimer dhe ky numër pritet të rritet në 78 milionë në vitin 2030 dhe 139 milionë në vitin 2050. Çdo vit, 21 shtatori përkujtohet si “Dita Botërore e Alzheimerit” për të rritur ndërgjegjësimin për sëmundjen e Alzheimerit, e cila po shënon një rritje të madhe me rritjen e popullsisë së moshuar në mbarë botën si dhe për të mbështetur ata që po luftojnë me të. Mijëra njerëz në mbarë botën vdesin çdo vit për shkak të Alzheimerit, që zhvillohet në formën e humbjes së kujtesës, demencës dhe një rënie të përgjithshme të funksioneve njohëse për shkak të vdekjes së qelizave të trurit me kalimin e kohës. Më shumë se 60 për qind e pacientëve me Alzheimer jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe çdo vit i shtohen 10 milionë raste të reja numrit të pacientëve me Alzheimer. Alzheimer, i përkufizuar për herë të parë në vitin 1906 nga psikiatri dhe patologu gjerman, Alois Alzheimer, u zbulua se shkakton dëmtime të rënda në indet e trurit tek njerëzit mbi moshën 65-vjeç, sëmundja njihet si “makthi i shekullit 21”. Sëmundja përkufizohet si një sëmundje neurodegjenerative e shoqëruar me simptoma neuropsikiatrike dhe ndryshime të sjelljes, të karakterizuara nga një rënie në aktivitetet e përditshme dhe përkeqësim të aftësive njohëse dhe nuk ka një metodë të njohur të trajtimit përfundimtar. – Alzheimeri është shkaku i 7-të i vdekjeve në botë Në raportin e OBSH-së “Parashikimet Globale të Shëndetit 2019”, sëmundja e Alzheimerit renditet si shkaku i 7-të i vdekjeve në mbarë botën. Vdekjet nga këto sëmundje u regjistruan në vendin e 3-të në Amerikë dhe Evropë. Sipas të dhënave nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), vlerësohet se 6.2 milionë amerikanë jetojnë me demencë këtë vit. CDC thekson se vdekjet e lidhura me Alzheimer janë shkaku i 5-të i vdekjeve tek njerëzit e moshës mbi 65-vjeç në SHBA. Sipas OBSH-së, shkalla e vdekjeve për shkak të demencës është më e lartë tek gratë sesa tek burrat. Gratë përbëjnë 65 për qind të vdekjeve të lidhura me demencën. – Numri i pacientëve me Alzheimer pritet të trefishohet deri në vitin 2050 Sipas vlerësimeve të OBSH-së, ka më shumë se 55 milionë pacientë me Alzheimer në mbarë botën dhe ky numër pritet të rritet në 78 milionë në vitin 2030 dhe 139 milionë në vitin 2050. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus nënvizoi se numri i pacientëve me Alzheimer pritet të trefishohet pas 30 vjetësh dhe se duhet bërë përpjekje për të reduktuar rrezikun e demencës. “Demenca merr kujtimet, pavarësinë dhe dinjitetin e miliona njerëzve, por gjithashtu vjedh nga ne njerëzit që njohim dhe i duam. Bota po braktis njerëzit me demencë dhe kjo na shqetëson të gjithëve”, tha Ghebreyesus. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Sëmundjeve të Alzheimerit (ADI) dhe Koalicionit Global për Plakjen (GCOA), deri në vitin 2050 rreth 70 për qind e personave me demencë si pasojë e plakjes së popullsisë do të jenë në vendet në zhvillim. – Sëmundja e Alzheimerit, një lloj demence Sëmundja e Alzheimerit njihet si humbje e kujtesës, çmenduri dhe rënie e përgjithshme e funksioneve njohëse për shkak të vdekjes së qelizave të trurit me kalimin e kohës. I përcaktuar si një lloj demence, Alzheimer është më i zakonshëm në moshat e mëvonshme. Një raport i vitit 2021 nga Alzheimer’s Disease International (AZI) vlerëson se 75 për qind e pacientëve me demencë në mbarë botën nuk diagnostifikohen. Teksa mungesa e ndërgjegjësimit përmendet si një pengesë kryesore për diagnostikimin, në disa vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, shkalla e të qenit i padiagnostikuar mund të arrijë deri në 90 për qind. – Trajtimi dhe kujdesi Aktualisht nuk ka asnjë trajtim të disponueshëm për të kuruar demencën ose për të ndryshuar rrjedhën e saj progresive. Përveç kësaj, shumë trajtime të reja janë duke u hetuar në faza të ndryshme të provave klinike. Hulumtimet tregojnë se njerëzit mund të zvogëlojnë rrezikun e demencës duke bërë sport rregullisht, duke shmangur duhanin dhe përdorimin e alkoolit, duke kontrolluar peshën, duke ngrënë shëndetshëm dhe duke mbajtur në nivel presionin e gjakut, kolesterolin dhe nivelet e sheqerit në gjak.https://ata.gov.al/2022/09/21/dita-boterore-e-alzheimerit-ne-2050-numri-i-personave-ne-bote-mund-te-arrije-ne-139-milione/