Në një prononcim për mediet Denaj tha sot se skema u lançua në fillim të këtij viti me disa komponentë. “Komponenti më kryesor dhe më i rëndësishëm ishte ai i mbështetjes 100% të fermerëve, të cilët janë brenda bashkimit të operatorëve dhe mbështetja për ta në masën 100% ka filluar të disbursohet”, vuri në dukje ajo.

Denaj siguroi se, të gjithë do të përfitojnë.

“Janë 71 000 fermerë aplikues. Ne jemi ende duke përfunduar gjithë vlerësimim se sa prej tyre i kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin në rregull, por besoj që 69 000 do të jenë në parashikimin tonë përfitues”, shtoi ministrja.

Denaj bëri të ditur se, skema me mbështetjen më të madhe në numër dhe në vlerë, ka filluar nga ata që janë të bashkuar, pra drejt bashkimit të operatorëve, të cilët sot janë duke përfituar në masën 100%.

“Gradualisht deri në fund të vitit do shpërndahet e gjitha dhe skema për investimet që Akti Normativ na e mundësoi është një komplementar për të ndërtuar më shumë sipërfaqe të serrave dhe fermave blegtorale, në standardet e Bashkimit Evropian”, tha ministrja e Bujqësisë.

Qeveria ka miratuar një shtesë fondesh për Ministrinë e Bujqësisë në vlerën e 500 milionë lekëve, që do të shkojnë në mbështetje të fermerëve duke iu shtuar fondit prej 3.2 miliardë lekë të skemën kombëtare të subvencioneve 2024.