Policia e Shtetit është një ndër institucionet më të besueshme në vend, e konfirmuar kjo edhe nga partnerët tanë që monitorojnë dhe masin vlerësimet e publikut. E dyta, ne kemi nisur një fazë transformimi dhe investimesh si asnjëherë më parë në Policinë e Shtetit për ta modernizuar më tej këtë trupë. Nuk është kurrsesi e rastësishme që Policia e Shtetit të gëzojë një besim kaq të lartë në sytë e publikut, por fryt i punës dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm që bëjnë kolegët tuaj në të gjitha nivelet e kësaj organizate. Nuk është rastësi as ambicia jonë për të modernizuar Policinë e Shtetit përmes investimeve në teknologji, por ky plan që kemi nisur të zbatojmë është pjesë e vizionit tonë Shqipëria 2030 në fushën e sigurisë”. “Mos u përkulni kurrë përballë krimit, përballë paligjshmërisë, korrupsionit dhe presionit prej politikës. Në këtë profesion që keni zgjedhur shpesh është vonë për të korrigjuar gabimet, nuk qëllon të keni një shans të dytë për të rifituar integritetin. Shihni vetëm nga zbatimi i ligjit! Kjo do t’ju bëjë profesionistë të mirë dhe do t’ju garantojë karrierë të sigurtë në të ardhmen. Çdo rrugë tjetër nuk të çon përpara”, tha Çuçi. atsh