Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne kemi një seri skenarësh dhe jemi të vendosur që të kemi një dimër pa kufizime të detyruara të energjisë elektrike”. Në një intervistë televizive nga Nju Jorku, Rama tha se “duam të kemi një dimër që pavarësisht vështirësive të mëdha të mos prekim çmimin për familjarët dhe biznesin e vogël”. “Dimri nuk do të jetë i frikshëm, por i vështirë sepse kam parasysh që ne duam ta kapërcejmë dimrin pa kufizime dhe duam ta kapërcejmë pa prekur çmimin për familjarët dhe biznesin e vogël. Dimri ka jo vetëm sfidën e jashtëzakonshme të çmimeve marramendëse, por edhe sfidën jo të vogël të së panjohurës lidhur me sasinë e energjisë të disponueshme. HEC-et ne i kemi mbajtur në nivelin më të lartë të mundshëm dhe me reshjet e ditëve të fundit kemi pak rikuperim. Sfida është shumë e madhe se ne nuk e prodhojmë dot gjithë sasinë e duhur. Jemi të detyruar të dalim në treg”, tha Rama.https://ata.gov.al/2022/09/22/rama-te-vendosur-per-nje-dimer-pa-kufizime-energjie/