Shoqata “Hora e Skënderbeut” në Zvicër, ka marrë iniciativën për t’u dhuruar shtatoren e Skënderbeut arbëreshëve të Italisë dhe për këtë më datë 13 prill 2024 në Kriense të Lucernës u mbajt një koncert me grupe kulturore-artistike shqiptare. Motoja “Skënderbeu na bashkon” mblodhi në këtë aktivitet 16 grupe kulturore-artistike shqiptare që veprojnë në Zvicër. Në këtë aktivitet mori pjesë ambasadori i Republikës së Shqiptarisë në Bernë, Mustafa Nano, sekretari i parë i Ambasadës, Valon Gashi, konsulli i përgjithshëm i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Zyrih, Vigan Berisha, mësues e veprimtarë. Ambasadori Nano në fjalë e tij përshëndetëse, duke i përgëzuar për këtë iniciativë dhe siguruar mbështetjen e plotë të Ambasadës, theksoi se, përtej të gjithave, fakti që shqiptarët e Zvicrës, kujtohen për t’i bërë një dhuratë Horës së Arbëreshëve, nuk është thjesht si një kontribut financiar, një akt komunikimi dhe bashkëpunimi midis shqiptarësh dhe kjo është emocionuese. Pavarësisht integrimit në shoqërinë zvicerane, shqiptarët në Zvicër ruajnë dhe promovojnë identitetin e tyre kulturor duke organizuar aktivitete kulturore, festa tradicionale, dhe duke mbajtur lidhje me komunitetin shqiptar në Zvicër, me origjinën por dhe në vende të tjera, siç është dhe rasti i freskët me arbëreshët e Italisë.