Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas deklaroi sot në Tiranë se BE pret normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një prononcim për mediet pas pritjes nga Kryeministri Edi Rama në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian që mbahet sot në Tiranë, e pyetur se çfarë pret nga Kosova e Serbia për procesin e dialogut, Kallas iu përgjigj se “pak më parë kemi emëruar përfaqësuesin e ri të Posaçëm për Dialogun dhe presim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas ndodhet në Tiranë në kuadër të samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Europian, që nis sot punimet nën logon “New Europe in a new world”, duke shënuar takimin e tij për herë të parë në Ballkanin Perëndimor me pjesëmarrjen e liderëve, kryetarë shtetesh dhe qeverish nga 47 vende europiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.