“Dhuro për popullin turk” është pika e ngritur pranë bashkisë Tiranë për të gjithë ata që duan të kontribuojnë për personat e prekur nga tërmeti në Turqi. Gjatë këtyre ditëve kanë qenë të shumtë qytetarët, që janë solidarizuar duke ndihmuar me sende të ndryshme. Të gjitha ndihmat e qytetarëve të kryeqytetit mblidhen dhe dërgohen në mënyrë të organizuar me ambasadën turke në Shqipëri. Përmes një postimi në rrjete sociale, kryebashkiaku Erion Veliaj falënderon qytetarët dhe vullnetarët që po kontribuojnë në këto ditë tepër të vështira. “Faleminderit secilit vullnetar dhe qytetar për kontributin e dhënë në ndihmë të popullit turk në këto ditë tepër të vështira”, thekson Veliaj. Stenda të tilla për të kontribuuar me ndihma për Turqinë janë ngritur në disa zona të ndryshme të Tiranës, por dhe qyteteve të tjera të vendit tonë. Të paktën 31 643 persona kanë humbur jetën nga dy tërmetet e forta që goditën Turqinë Jugore të hënën e kaluar dhe 9 300 kanë vdekur në Siri, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë. atsh