Dhimitër Pasko, si ekspert ekonomie

0
18

Më 4 maj të vitit 1967 ndërroi jetë Dhimitër Pasko. Shkrimtari u përjetësua me emrin e penës “Mitrush Kuteli”. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli detaje nga një anë tjetër e veprimtarisë së tij. Pasko njihet fare pak për veprimtarinë e tij në sektorin bankar. Në vitet 1934-1942 nisi punë si nëpunës i lartë në Ministrinë e Financave të Rumanisë, më tej u bë drejtor i Bankës Kombëtare të Bukureshtit dhe i Bankës së Çërnëucit. Shërbeu si konsulent teknik i Bankës Qendrore Shqiptare që prej vitit 1943. Studimet e tij për evidentimin e vjedhjes së arit shqiptar nga gjermanët dhe shumë studime të tjera të depozituara pranë Ministrisë së Financave të kohës, do t’i vinin në ndihmë palës vendase në argumentimin e kërkesave drejtuar aleatëve pas lufte. Kuteli la një sërë shkrimesh që i kushtoheshin ekonomisë, monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike shqiptare. Studioi ngjarjet e së kaluarës në fushën e financave dhe kritikoi Bankën Kombëtare të Shqipërisë, duke faktuar spekulimet e saj në dëm të ekonomisë së vendit. Ndër këto shkrime Kuteli përmend më pas “Kriza e koronës dhe Banka Kombëtare”, që u botua si kryeartikull më 1928 në gazetën “Telegraf”. Në fushën ekonomike shkroi rreth monedhës dhe kreditit, për problemet ekonomike dhe abuzimet administrative si dhe kundër disa koncesioneve që i ishin dhënë kapitalit italian – Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqërisë AGIP për të shfrytëzuar tokat vajgurore shqiptare dhe për të mbajtur monopolin e karburanteve në vend. Dhimitër Pasko është nderuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë me titullin e lartë “Nderi i Akademisë”.